Rruga e Arbrit ka nisur të marrë formë në Bllatë të Dibrës. Trasheja e përfunduar muaj më parë ka nisur të asfaltohet. Ky segment i përfunduar i kësaj rruge ishte kthyer në një problem të madh për banorët e zonës si dhe ata që lëviznin drejt shtetit fqinj të Maqedonisë së Veriut apo anasjelltas. Kjo për shkak se në rrugë krijohej pluhur i madh. por tashmë hedhja e shtresës së parë asfaltike, ka bërqë të eleminohet plotësisht pluhuri si dhe vetë rruga e Arbrit të marrë pamjen që banorët e presin prej dekadash. Ky është loti i parë i rrugës së Arbrit duke nisur nga Dibra, segment ky i papërfunduar që prej nisjes së këtij projekti. Dhënia me konçension një kompanie shqiptare për ndërtimin e kësaj vepre shumë të rëndësishme për Qarkun Dibër, bëri që puna të nisë në të gjithë lotet e papërfunduara. Nga Bllata tek Ura e Çerenecit është ndërtuar nga fillimi ku veç trasesë janë ndërtuar edhe dy ura, njëra prej të cilave është 300 metra e gjatë dhe kalon mbi lumin Drin. Asfaltimi i rrugës së Arbrit ka nisur prej ditësh edhe nga Tirana. Firma ka hedhur shtresën e parë të asfaltit në trasenë e përfunduar prej kohësh. Ndërkohë po punohet edhe në ndërtimin e urës së Fshatit Fshat që e lidh atë me fshatin Shkallë të Xibrit si dhe në tunelin e Xibër – Murrizes.