Rruga e Arbrit në Xibër e pasigurtë për banorët, kërkojnë hapsira të dedikuara

Rruga e Arbrit në Xibër e pasigurtë për banorët, kërkojnë hapsira të dedikuara

   Banorët e fshatrave Shkallë e Xibër Murrize të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit kërkojnë hapsira të sigurta kalimi në rrugën e Arbrit. Kjo e fundit kalon përmes këtyre dy fshatrave ku ndan lagje e toka bujqësore përmes. Të gjendur përballë këtij fakti, banorët janë të detyruar të kalojnë si vetë ashtu edhe bagëtinë në të njëjtën hapsirë ku kalojnë makinat. Ata shprehen se që me nisjen e ndërtimit të kësaj vepre i kanë kërkuar firmës zbatuese të projektit hapsira të dedikuara për banorët, siç janë nënkalimet, apo rrugët dytësore, por asnjëra prej tyre nuk u realizua. Me futjen e qarkullimit edhe të mjeteve të tonazhit të rëndë, kalimi i këmbësorëve në rrugën e Arbrit në Shkallë të Xibrit bëhet akoma më i vështirë dhe i rrezikshëm. Banorët e Njësisë Xibër kërkojnë që të gjendet një zgjidhje për ta, sa ende nuk ka ndodhur ndonjë tragjedi pasi aksidentet kanë qenë të shpeshta për shkak të lëvizjes së domosdoshme që bëjnë në përditshmërinë e tyre.

E gjithë rruga e Arbrit, nga tunelet e fshatit Shkallë e deri tek Tuneli i Murrizit është pa hapsirë të dedikuar për këmbësorët, duke vënë në rrezik jetën e banorëve por edhe të nxënësve të shkollës gjatë gjithë vitit shkollor.