Duke përshkuar në këmbë segmentin e Rrugës së Arbrit me rrezikun e makinave që qarkullojnë me shpejtësi, kështu shkojnë çdo ditë në mësim nxënësit e shkollës së mesme të Bashkuar të Xibrës. Këtë rrugë, përshkojnë 2 herë në ditë nxënësit e fshatrave në këtë zonë, ndër ta edhe shumë të vegjël duke rrezikuar jetët e tyre, pasi rruga nuk ka një trotuar për këmbësorët. Rruga që deri me tani ka gllabëruar miliona euro nga fondet publike ofron pasiguri, dhe kërcënon seriozisht jetët e kalimtareve të vegjël.
Mungesa e trotuarit nuk është problem i vetëm në Rrugën e Arbrit, punimet për të cilën zvarriten prej vitesh e që do të kushtojnë plot 311 milion euro. Traseja e rrugës në Njësinë Administrative Xibër në Klos deformohet çdo ditë e më shumë ndërsa kompania “Gjoka Konstruksion” e kontraktuar për punimet mundohet t’i mbulojë këto probleme me mjete rrethanore, siç është ky rast kur me bombol gazi shkrin materialin ngjitës.