
Kandidati fitues i Partisë Socialiste në Qarkun e Dibrës, Lavdrim Krashi, i cili u kthye nga Londra për t’u përfshirë në zgjedhjet e 25 prillit, foli sot gjatë një interviste televizive për fushatën elektorale, por edhe mënyrën si do ta përfaqësojë ai popullin dibran katër vitet e ardhshme në Parlament.
Sa i përket fushatës elektorale, Krashi tha se ishte fantastike dhe me takimet e zhvilluara derë më derë, ka kaluar një eksperiencë që do ta mbajë mend gjithë jetën.
“Fushata elektorale në Dibër ishte fantastike. Në fakt ndoshta edhe nga kushtet për shkak të pandemisë, fushata ishte më pranë fushatës britanike ose perëndimore sesa ato të zakonshme që jemi mësuar të shohim në Shqipëri. Unë jam mahnitur, kam kaluar një eksperiencë që do ta mbaj mend gjithë jetën time”, tha Krashi.
Krashi theksoi se me Rrugën e Arbrit, Dibra do të njohë një zhvillim të jashtëzakonshëm.
“Qarku i Dibrës është qarku që përgjatë 4 viteve të fundit për hir të së vërtetës ka pasur një vëmendje të shtuar të themi të taksapaguesit shqiptar. E kam fjalën për rrugën e Arbrit. Një rrugë e kërkuar përgjatë 100 viteve të fundit, por vetëm këtë radhë po bëhet realitet. Në fakt unë gjatë fushatës e kam kaluar 7 apo 8 herë. Është në masën 80 % e përfunduar. Ka dhe disa punë. Është një rrugë, e cila përmban përveç investimit të madh prej 350 milionë eurosh të taksapaguesit shqiptar, ka dhe disa vepra shumë të vështira, tunele edhe ura me gjatësi prej 26 kilometrash. Ky është një investim që i krijon mundësinë qarkut të Dibrës që të shpërthejë. Mendoj që Rruga e Arbrit do t’i japë mundësinë krejt qarkut të Dibrës që të çlirojë energjitë e fjetura përgjatë 30 viteve. Unë e shikoj Dibrën krejt si qark, si një Korçë të dytë”, u shpreh Krashi.
Sa i përket statusit të minatorit Krashi tha se, “statusi është vetëm një fjalë. Në fakt qeveria përgjatë 4 apo 8 viteve të fundit ka bërë shumë edhe për minatorët. Fjala status, unë nuk mendoj që me një fjalë do të zgjidhen të gjitha problemet që kanë minatorët. Po për shembull, ulja e moshës së pensionit nga 55 në 50 vjeç është një masë krejt konkrete dhe fare mirë mund t’i vihet dhe është pjesë e statusit të minatorit”.
Sa i përket uljes së tij në Parlament, kandidati fitues u shpreh se që ditën e parë si deputet do të kërkojë të drejtën e emigrantëve për të votuar, si dhe do të nisë me projekte për Qarkun e Dibrës.
“Do të kërkoj që ditën e parë, sipas procedurave dhe hapësirave që na lejohen për të kërkuar të drejtat e qytetarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Këtu e kam fjalën për të drejtën e votës, jo në kuptimin, se ne e kemi të drejtën e votës, po mundësinë që qytetarët shqiptarë të votojnë në vendin ku ata jetojnë. Jam krejt i bindur që unë do të gjej bashkëpunim shumë të ngushtë me të gjithë kolegët e mi brenda PS, por edhe me grupet e tjera parlamentare me PD dhe LSI”, përfundoi Krashi.