Rruga Burrel – Skuraj, plot deformime

0

Rruga nacionale Burrel – Skuraj vijon të jetë ndër më problematiket në Qarkun Dibër. Vetëm pak ditë më parë, firma mirëmbajtëse ka bërë vetëm pak punë në të, duke hapur kanalet kulluese anësore dhe duke mbushur disa nga gropat e shfaqura në të. Por për drejtuesit e mjeteve, gropat e shumta e të mëdha në këtë aks janë të papranueshme dhe se po ju dëmton automjetet sa herë kalojnë në të. Ata shprehen se autoritetet duhet të marrin masa të tjera për të përmirësuar gjendjen e kësaj rruge pasi janë taksapagues të rregullt të shtetit shqiptar. Veç gropave, rruga ka problem me çedimet që po bëhen burim aksidentesh. Segmenti më problematik i kësaj rruge mbetet nga Burreli deri tek Ura e Ulzës, pasi ka deformime të shumta thuajse në të gjithë gjatësinë e saj.

Prej thuajse tre dekadash në aksin rrugor prej 36 kilometrash nga Burreli në Skuraj nuk është bërë një rikonstruksion i plotë. Ndërhyrjet kanë qenë vetëm në vendet ku është dëmtuar, ndërsa tashmë rruga është thuajse e gjitha problematike.