Rekamë

Në raportimin e përditshëm për publikun, dr. Albana Fico nga Instituti i Shëndetit Publik bëri e dije se numri total i të prekurve me COVID-19 në vendin tonë shkoi në 820.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 270 testime për persona të dyshuar me COVID-19 dhe prej tyre rezultojnë 17 raste pozitive. 11 të prekur janë kontakte të rasteve të mëparshme pozitivë me COVID19, ndërsa për 6 të prekur po vijon hetimi epidemiologjik në terren. Rastet pozitive të ditës së sotme janë të shpërndara përkatësisht, 9 raste në Tiranë, 5 raste në Krujë dhe Kamza me 3 raste, vatër familjare.
Që nga fillimi i epidemisë deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 820 qytetarë ndërsa 70 % e tyre janë shëruar. Aktualisht janë 219 persona aktivë me COVID19. Siç shihet, ka një rritje të rasteve në 24 orët e fundit, jo vetëm në numrin e rasteve të identifikuara por edhe shtrimet në spital janë shtuar”, bëri me dije dr. Fico.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon për qytetarët që të vazhdojnë të respektojnë distancimin fizik dhe të mbajnë higjienën personale, po ashtu bizneset e hapura të respektojnë me rigorozitet protokollet e sigurisë.
Shpërndarja gjeografike e rasteve aktive është si vijon: Tiranë 99; Krujë 81; Shkodër 15; Kurbin 9; Elbasan 3; Kamëz 3; Kukës 2; Mirditë 2; Berat 2; Durrës 1; Korçë 1; Lezhë 1.