Rekamë

Rritja e çmimit të karburanteve në vendin tonë siduket është kthyer në diçka normale për qytetarët. Ndryshe nga fillimet  e kësaj rritjeje një vit e gjysmë më parë, ku qytetarët u hodhën në protesta pasi çmimi shkoi në nivelin që është sot, tashmë kjo rritje po pranohet.

Aktualisht një litër naftë në karburantet që operojnë në zonën e Matit shitet nga 196 deri në 199 lekë. Pra, çmimi ka arritur në afro 200 lekë për litër, por ajo që vihet re, është mosreagimi qytetar.

Prania e bordit të monitorimit të tregut të karburanteve në vendin tonë, kishte bërë që çmimi të vendosej sipas vendimeve të tij dhe asnjë nga distributorët apo tregtarët e pakicës, nuk mund ta ndryshonte.

Por me shkrirjen e këtij bordi, tashmë nuk dihet se kush duhet të fajësohet, pasi thusje ndryshimet e çmimit të karburanteve bëhen njëkohësisht nga të gjithë operatorët dhe thuajse me vlerë të njëjtë.

Pyetja që shtrohet është se tashmë që nuk ka një bord për karburantet, kush e vendos çmimin dhe kohën për rritjen e tij?