Pas ndalimit të reshjeve të dëborës, qarkullimi në rrugën e Arbrit bëhet paprobleme. Mjetet borëpastruese kanë punuar deri në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, duke bërë të mundur heqejen e borës dhe kriposjen e rrugës. Prej orëve të para të ditës së sotme, qarkullimi ka vijuar normalisht.
Në Bashkinë e Klosit po punohet për hapjen e rrugëve të fshatrave ku ka prani të madhe të dëborës. Gjatë ditës së sotme në Njësinë Administrative Xibër, kalimi në rrugët e fshatrave Xibër – Hane dhe Ketë bëhej vetëm me zinxhirë. Ndërkohë që Bashkia e Klosit ka nisur punën për hapjen e rrugëve të këtyre dy fshatrave dhe lagjeve të tyre duke dërguar një mjet borëpastrues. Ky i fundit e ka patur të vështirë në disa pika ku poshtë borës ka patur edhe prezencë të akullit i krijuar ditë më parë kur temperaturat atje zbritën deri në -12 gradë Celsius. Po ashtu po punohet edhe në rrugët e fshatrave të Njësisë Administrative Gurrë.
Sa i përket Bashkisë së Matit, mjetet e kësaj të fundit po punojnë për hapjen e rrugëve të fshatrave Vig, Macukull Dukagjin, Gjocaj dhe Selixë. Në këto fshatra po punohet paralelisht me heqjen e borës si dhe hedhjen e kripës dhe skorjes për t’i paraprirë ngricave që do të vijnë në orët në vijim si pasojë e rënies së ndjeshme të temperaturave.