Rikthehet qarkullimi për mjetet e tonazhit të rëndë gjatë gjithë kohës

Rikthehet qarkullimi për mjetet e tonazhit të rëndë gjatë gjithë kohës

Me hapjen për qarkullim të tunelit të Murrizit, për të gjitha automjetet e tonazhit të rëndë që qarkullonin nga Bulqiza në drejtim të Tiranës u vendos një fashë orare, e cila iu ndalonte atyre përdorimin e rrugës së Arbrit.
Për disa muaj me radhë automjetet e tonazhit të rëndë u ndaluan të qarkullojnë nga rrethrrotullimi në fshatin Fshat drejt Tiranës, kjo për shkak se bëheshin pengesë e kufizimit maksimal të shpejtësisë për automjetet e tjera.
Policia rrugore e Qarkut Dibër zhvilloi për ditë me radhë kontrolle e ndaloi shoferët e mjeteve të tonazhit të rëndë të futeshin në rrugën e Arbrit, pasi ulnin shpejtësinë e lëvizjes së automjeteve të tjera në segmentin e Xibrit dhe krijohej trafik.
Por prej pak ditësh, qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë është rikthyer në normalitet në rrugën e Arbrit. Të gjitha automjetet që transportojnë mineral kromi përdorin pikërisht këtë rrugë në çdo orë të ditës.
Ndërkohë, pritet që me rritjen e fluksit të lëvizjes së automjeteve për shkak të sezonit turistik, të rëndohet akoma më shumë qarkullimi në segmentin e rrugë së Arbrit nga rrethrrotullimi i fshatit Fshat deri tek tuneli i Murrizit.