Rikthehet uji vaditës në Urakë pas 35 vitesh falë investimit të Bashkisë Mat

Rikthehet uji vaditës në Urakë pas 35 vitesh falë investimit të Bashkisë Mat

Një lajm i mirë vjen nga fusha e bujqësisë në Mat. Pas rreth 35 vitesh një pjesë e tokave bujqësore në fshatin Urakë, të Njësisë Administrative Rukaj në Bashkinë e Matit, janë futur në sistemin vaditës. Bashkia e Matit ka bërë të mundur vendosjen në funksion të kanalit vaditës që furnizohet nga burimi i Shutrresë në fshatin Bruç. Banorët e Urakës thanë se rikthimi i ujit vaditës nëpërmjet kanalit që ka qenë funksional para viteve 90-të është një shpresë e madhe për ta, pasi do t’i rikthehen punimit të tokës. Për shkak të disnivelit të burimit me tokat bujqësore në Urakë, kanali vaditës me rrjedhje të lirë e ka të pamundur të përfshijë gjithë tokën, ndërsa banorët thonë se kjo mund të arrihet nëpërmjet elektropompave. Megjithatë, ata shprehen optimistë se vitin e ardhshëm do të ketë më shumë tokë bujqësore të punuar në fshatin Urakë.

  Pas viteve 90-të shumë vepra vaditëse, siç janë elektropompa, nuk u vendosën më në funksion, kjo edhe për faktin e kostos së lartë të energjisë elektrike. Veprat vaditëse me rrjedhje të lirë mbeten ende mundësia e vetme e banorëve për të punuar e shfrytëzuar tokat bujqësore.