Rikthehet normaliteti në doganën e Bllatës pas rihapjes së aksit Librazhd – Përrenjas
Një ditë më parë Autoritetit Rrugor Shqiptar vendosi hapjen e qarkullimit për të gjitha llojet e automjeteve në aksin Librazhd – Përrenjas pas ndërtimit të një bajpasi të ri. Tashmë të gjitha automjetete që lëvizin drejt juglindjes apo që hyjnë në vendin tonë nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Qaf Thanës do të qarkullojnë andej.
Kjo ka bërë që të lehtësohet qarkullimi i automjeteve në pikën Doganore të Bllatës në Dibër ,pasi e gjithë juglindja përdorte rrugën e Arbrit, daljen në Maqedoninë e Verit dhe përmes pikës së Qaf Thanës në destinacione të tjera.
Prej më shumë se një jave i gjithë trafiku ishte zhvendosur nga Bllata duke ngarkuar këtë pikë doganore si dhe rrugën e Arbrit.
Mjetet e tonazhit të rëndë të transportit ndërkombëtar, ato të udhëtarëve dhe automjete të tjera përdornin itinerarin Tiranë – Bllatë nëpërmjet Maqedonisë së Veriut – Qaf Thanë.
Ndërkohë, mbetet për tu parë nëse do të mbahet premtimi i dhënë pak ditë më parë nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave Besmir Beja, i cili deklaroi nga Bllata e Dibrës se në këtë pikë doganore do të investohen 1.7 milion euro, për përmirësimin e kushteve, rritjen e kapaciteve dhe riasfaltimin e rrugës mes dy pikave doganore, asaj të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.