Rihapet Sot Aksi Librazhd-Prrenjas Pas Dëmit nga Rrëshqitja e Dherave

Rihapet Sot Aksi Librazhd-Prrenjas Pas Dëmit nga Rrëshqitja e Dherave

Pas ditësh bllokimi dhe kaosi të shkaktuar nga rrëshqitja masive e dherave dhe dëmtimi i urës në zonën “Arrat e Gurrës”, aksi rrugor kombëtar Librazhd–Prrenjas do të hapet sot në mesditë, në orën 12:00, për qarkullim.

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) bën me dije se rikthimi i qarkullimit do të bëhet i mundur përmes një devijimi provizor, i ndërtuar ngjitur me pozicionin ekzistues të mëparshëm. Kjo zgjidhje e përkohshme do të shërbejë derisa të realizohet rruga alternative, e cila do të ndërtohet në shtratin e lumit Shkumbin dhe do të integrohet me trupin e hekurudhës.

Qarkullimi do të jetë i mundur për të gjitha mjetet, duke përfshirë edhe ato të tonazhit të rëndë, por me kushtin e respektimit të ngarkesës maksimale prej 8.2 ton për aks.

ARRSH thekson se segmenti do të funksionojë me sinjalistikë kantieri dhe, përkohësisht, do të jetë i paasfaltuar deri në stabilizimin e shtresave mbajtëse. Pas stabilizimit, do të kryhet asfaltimi përfundimtar.

Duke kërkuar mirëkuptim nga të gjithë përdoruesit e rrugës si dhe banorëve të zonës, u bëhet thirrje të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë Rrugore, për të garantuar një qarkullim të sigurt për të gjithë.