Rifilluan me humbje. Matjanët i përvishen “punës” për ndeshjen e radhës

0

Burreli e rinis me humbje garën e ndeshjeve të mbetura të këtij sezoni. Matjanët humbën të shtunën e kaluar në Tiranë, pasi u mundën nga Dinamo me rezultatin 2 me 0. Por kjo nuk i ka demotivuar matjanët, që përkundrazi kanë nisur punën pa humbur kohë për tu përgatitur për ndeshjen e radhës të cilën do ta luajnë në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit këtë të shtunë, ku do të presin Veleçikun e Koplikut. Djemtë e drejtuar nga tekniku Renato Hoti po zhvillojnë seanca të ngjeshura stërvitore, për të eleminuar gabimet e bëra në ndeshjen ndaj dinamovitëve. Ndonëse matjanët do ta luajnë papraninë e tifozërisë, drejtues të stafit teknik dhe klubit thanë se takimi duhet fituar patjetër, pasi çdo ndeshje që kalon, fundi i kampionatit afrohet edhe më shumë. Në zonën play out të grupit A, matjanët janë të parët në renditje me 24 pikë, të ndjekur nga Egnatia me 23 pikë e pasuar me Veleçikun 17, Tërbuni 15 pikë dhe Dinamo me 14 pikë.