Ka përfunduar i gjithë procesi i regjistrimeve në diasporë pas shqyrtimit të kërkesave të fundit që ishin bërë me datë 4 Mars. Numri total i shqiptarëve të diasporës që janë regjistruar në platformën “PER” të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka shkuar në 245,975 shtetas, të cilëve do t’ju shkojë fleta e votimit. Ndërkohë, janë 9,603 zgjedhës nga Qarku Dibër që jetojnë në vende të ndryshme të botës që duan të bëhen pjesë e procesit të votimeve për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit në vendin tonë.
Po t’i referohemi të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për parlamentaret e vitit 2021, qytetarë me të drejtë vote janë 131,225 shtetas ku 69,133 kanë votuar në zgjedhjet e fundit për pushtetin qendror.
Nëse do të qëndrojë numri i pjesmarrësve në votime për zgjedhjet e 11 Majit, atëherë për të zgjedhur 5 deputetët përfaqësues të Qarkut Dibër në parlamentin e ri do të votojnë 78,736 qytetarë. Por kjo mbetet për tu parë pasi një pjesë e qytetarëve të regjistruar në diasporë këtë vit, mund të kenë ardhur fizikisht për të votuar në zgjedhjet e 4 viteve më parë.
Me mbylljen e këtij procesi, pritet që partitë politike të depozitojnë listat me emrat e kandidatëve në Komisionin Qendor të Zgjedhjeve, ndërsa ky i fundit të nisë punën për prodhimin e fletës së votimit.