Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe Lëvizja Besa duket të jenë fituese të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që u mbajtën në Maqedoni të Veriut (RMV) katër ditët e fundit, ndërsa në total partitë shqiptare duket se kanë mundur të fitojnë 32 deputetë.

Të dhënat jo-përfundimtare të dala nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe të analizuara nga gazetarja Bruna Çifligu tregojnë se koalicioni i ashtuquajtur “Mundemi” është votuar me rreth 36 për qind të votave, më pas vjen VMRO-DPMNE që ka mundur të mbledhë 34.65 për qind.

Zgjedhjet në RMV u mbajtën për 3 ditë nga data 13 korrik për shkak të situatës së pandemisë së COVID-19.

Në këto zgjedhje, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) është votuar me 11.48 për qind, Aleanca për Shqiptarët me Alternativën 8.65%, “E majta” 4.13%, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) vetëm 1.53 për qind.

Përkthyer në mandate, koalicioni “Mundemi” mund të ketë pas këtyre zgjedhjeve 46 deputetë (4 deputetë Lëvizja Besa), VMRO-DPMNE 44 deputetë, BDI 15 deputetë, ASH dhe AA 12 deputetë, “E Majta” 2 deputetë dhe PDSH 1 deputet.

Krahasuar me zgjedhjet e vitit 2016, LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë një rënie me 1.73%-4.54%, njësoj ka 1.21% më pak vota për PDSH-në, ndërsa BDI, ASH dhe AA kanë një rritje me 5.47% ndërsa “E Majta” po kështu rritje me 2.91%.

Parlamenti i RMV-së ka 120 deputetë. Për të marrë qeverinë duhen së paku 61 mandate, çka detyron që partitë të hyjnë tashmë në një proces negociues për koalicione paszgjedhore.

Me diferencë të ulët të votave, nacionalisti Hristian Mickoski i VMRO-DPMNE, ka mundësi të vijë në pushtet nëse siguron mbështetjen e partive më të vogla, të cilat përfaqësojnë minoritetin e shqiptarëve të RMV-së.

Në 6 muajt e fundit RMV është drejtuar nga një qeveri teknike pas dorëheqjes së Zoran Zaev, i cili shpalli zgjedhjet e parakohshme pasi BE nuk hapi negociatat. Partitë kryesore në RMV mbështesin integrimin në BE, mirëpo Mickoski gjatë fushatës ka kritikuar ndryshimin e emrit të vendit, si kusht i vendosur nga Greqia për hapjen ne negociatave.

Nga ana tjetër BDI ka kandiduar me Naser Ziberin për kryeministër me deklaratat e vazhdueshme se ata kërkojnë tashmë që kryeministri i RMV të jetë një shqiptar, kjo pritet të kushtëzojë jo pak edhe negociatat për koalicion të mundshëm qeverisës, pasi Zaev nga ana e tij e ka kundërshtuar mundësinë që partia e tij ta lëshojë postin e kryeministrit.

Burimi: Euronews