Reshjet e shirave të rëna ditët e fundit kanë krijuar problem në rrugën nacionale Klos – Bulqizë. Në segmentin e fshatit Plan i Bardhë ka patur shembje gurësh të cilët kanë krijuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve. Gurët e rënë në vende të ndryshme kanë rritur rrezikun e shkaktimit të aksidenteve automobilistike. Kanë qenë drejtues mjetesh të cilët janë ndaluar për të larguar gurët nga rruga pasi aksi ende nuk ka mirëmbajtës për shkak se nuk është lidhur ende kontrata me firmën fituese. Drejtuesit e mjeteve thonë se institucionet përgjegjëse nuk duhet të vonojnë lidhjen e kontratës pasi rreziku është evident për të gjithë përdoruesit e kësaj rruge.
Rënia e gurëve në këtë segment rruge ka qenë vazhdimisht problem për shkak të mungesës së rrjetës mbrojtëse. Situatë më problematike për drejtuesit e automjeteve që lëvizin në drejtim të Bulqizës apo Dibrës mbeten orët e natës ku shikueshmëria është e kufizuar.