Reshjet e borës në Dibër e Bulqizë, krijohen probleme në zonat rurale

0
9



Muaji Shkurt ka hyrë me temperatura të ulta dhe reshje dëbore në Dibër e Bulqizë. Që prej orëve të para të ditës së Martë kanë nisur reshjet e borës duke përfshirë të gjithë territorin e Bashkisë Dibër dhe atë të Bashkisë së Bulqizës. Në qytetin e Peshkopisë trashësia e dëborës shkon në mbi 20 centimetra, ndërsa në zonat e thella malore deri në 50 centimetra. Reshjet kanë vijuar pandërprerje gjatë gjithë ditës duke vështirësuar qarkullimin e automjeteve kryesisht të atyre të zonave rurale të njësive të thella administrative. Në rrugën nacionale Peshkopi – Burrel – Tiranë kalimi bëhet paprobleme pasi firma mirëmbajtëse ka vendosur në dispozicion 8 borëpastruese dhe katër fadroma. Me zinxhirë kalohen rrugët Ura e Çerenecit – Stëblevë – Librazhd dhe Peshkopi – Drajë – Kukës. Në Bashkinë Bulqizë, problem mbeten njësitë e thella administrative. Kryetari i Bashkisë Bulqizë Lefter Alla shprehet se kanë nisur problemet e para edhe pse ka vijuar puna për hapjen e rrugëve. Sipas tij, problem mbeten zonat e thella ku aktualisht kalimi bëhet me zinxhirë. Po ashtu edhe rruga Ura e Çerenecit – Stëblevë – Librazhd kalimi bëhet me zinxhirë.

Sa i përket furnizimit me energji elektrike, deri tani nuk mësohet të ketë patur avari.