Reshjet dëmtojnë rrugët e fshatrave nga vërshimi i përrenjve

Reshjet dëmtojnë rrugët e fshatrave nga vërshimi i përrenjve

Shumë rrugë të fshatrave të Bashkive Mat, Klos, Bulqizë e Dibër janë dëmtuar si pasojë e reshjeve të shumta të shiut gjatë kësaj të marte.

Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu i kontaktuar nga ana jonë tha se bashkitë kanë raportuar problematika të ndryshme sa i përket rrugëve rurale, që sipas tij nuk pengojnë lëvizjen e lirë të banorëve drejt zonave urbane.

Në fshatin Fullqet të Bashkisë së Klosit një banesë rrezikon shembjen për shkak të çarjes së tokës. Situata po monitorohet në terren nga specialistët e bashkisë, ndërsa u pa nga afër edhe nga vetë kryebashkiakja Valbona Kola.

Po ashtu, shtabet e mbrojtjes civile në të gjitha Bashkitë e Qarkut Dibër janë në gatishmëri të plotë për situatat e mundshme në orët në vijim, pasi sinoptikanët kanë parashikuar vijimin e reshjeve intensive.

Kompania, e cila ka privatizuar hidrocentralet Ulëz e Shkopet, ka nisur me shkarkimet. Aktualisht vetëm në hidrocentralin e Shkopetit po shkarkohet uji për shkak të rritjes së nivelit mbi kapacitetin e lejuar. Sa i përket HEC-it Ulëz, deri në mesditën e së martës nuk ishin hapur portat për shkarkimin e ujit, për arsye se niveli kishte rënë ndjeshëm më parë, si rezultat i shfrytëzimit në maksimum pas reshjeve të fundvitit të kaluar.