Mbrëmjen e së hënës janë rikthyer reshjet e borës në Qarkun Dibër në lartësinë 600 metra mbi nivelin e detit. Ndonëse jo në sasi të madhe bora zbardhi një pjesë të mirë të Bulqizës dhe Dibrës. Si pasojë e reshjeve pa ndërprerje është bllokuar lëvizja në rrugën e Arbrit në orët e mbrëmjes së kaluar. Gjatë gjithë natës është punuar pandërprerje për hapjen e rrugës dhe mëngjesin e sotëm lëvizja ka nisur pa probleme. Të gjitha mjetet që lëviznin nga Qarku i Dibrës në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas, nuk kanë patur nevojë të përdornin zinxhirë pasi firma kishte hedhur kripë në të gjithë zonën e mbuluar nga dëbora që nga fshati Shkallë e deri në Bastar të Tiranës.
Rritja e ndjeshme e temperaturave gjatë drekës e përmirësoi akoma më shumë situatën në këtë aks, i cili është kthyer më i frekuentuari për të gjithë banorët e Qarkut Dibër, por jo vetëm. Sa i përket akseve të tjera kombëtare, Peshkopi – Burrel – Tiranë, Peshkopi – Drajë – Kukës, kalimi bëhet paprobleme, ndërsa në aksin tjetër Ura e Çerenecit – Stëblevë Librazhd, kalimi bëhet me vështirësi.