Rekamë

Pak orë pas aksionit blic të forcave RENEA, i nisur që prej mëngjesit të sotëm publikohen edhe detajet e para.

Nëntë persona janë arrestuar në Elbasan dhe në Tiranë nga ‘Forca e Ligjit’, mes tyre anëtarë të fisit Çapja dhe dy gazetarë, ndërsa numri i të shoqëruarve ka shkuar mbi 50 deri tani.  Operacioni u zhvillua në kuadër të procedimit penal të regjistruar në 2013 në ngarkim të M.L dhe E.C. dhe që ka rifilluar në 2018. Anëtarët e fisit Çapja akuzohen për organizatë kriminale dhe trafik.

Të arrestuarit nga fisi i njohur në Elbasan janë Florenc Çapja, që akuzohet për vrasje dhe pengmarrje. Gjithashtu janë ekzekutuar masat për H.Gj. të cilit gjatë kontrollit i janë gjetur dy armë zjarri në banesë, por edhe E.C. B.K. A.D. A.N. dhe I.H. E ndërsa Florenc Çapja u arrestua, xhaxhai i tij, Ardjan Çapja u shoqërua, ndërkohë që disa të tjerë janë shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tyre.

Në kërkim janë; E.Ç. që është nusja e Ardjan Çapjas dhe E.B. pasi nga kontrolli i banesave të tyre u gjet lëndë narkotike dhe armë të ftohta. Në këtë operacion u arrestuan edhe dy gazetarë, Suela Musta anëtare e AMA-s dhe një tjetër ish-anëtar, pasi sipas prokurorisë kanë ndikuar për dhënien e licencës kabllore për fisin Çapja në Elbasan. Report Tv mëson se nga banesat dhe ambientet e shumta që janë kontrolluar janë sekuestruar pajisjet në katër televizione kabllore në Elbasan dhe Tropojë, ku u shtri operacioni.

Bëhet me dije se nga operacioni “Forca e ligjit” janë arrestuar 9 persona, punonjës të administratës në Elbasan si dhe janë shpallur në kërkim 4 të tjerë. Të arrestuarit akuzohen për shpërdorim detyre.

Forcat speciale të RENEA-s kanë ndërmarrë një aksion të gjerë këtë mëngjes, me kontrolle të shumta në qytetin e Elbasanit dhe në lagjet e konsideruara problematike në këtë qytet.

Që prej mëngjesit të sotëm, forcat RENEA bllokuan të gjithë hapësirën ku ndodhet resorti “Univers” në pronësi të familjes Çapja dhe ushtruan kontrolle në të gjitha ambientet e resortit.