Rehabilitohen ujërat e zeza në lagjen pas komisariatit, Malaj: “Kemi në plan ndërtimin e një impianti filtrimi”
Të gjitha familjet që banojnë në lagjen nga pas burgut të Burrelit, pas komisariatit të Policisë Mat dhe pas Muzeut Historik, nuk do të kenë më probleme nga prania e ujërave të zeza në sipërfaqe.
Prej dy javësh Bashkia Mat ka nisur punën për rehabilitimin e të gjithë ujërave të ndotura në këtë zonë, për të zgjidhur përfundimisht gangrenën e krijuar prej vitesh për shkak se ujërat e zeza rridhnin në sipërfaqe. Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj tha se me këtë investim eleminohet ndotja nga ujërat e zeza në këtë zonë si dhe shmangen infeksionet e ndryshme.
Ndërkohë Malaj tha gjithashtu se po punohet edhe për ndërtimin e një impianti për filtrimin e ujërave të ndotura të qytetit të Burrelit, në mënyrë që papastërtitë të mos përfundojnë në lumin Mat e më pas në liqenin e Ulzës.
Procesi i rehabilitimit të ujërave të zeza në lagjen pas komisariatit të Policisë Mat është drejt mbylljes pasi janë vendosur të gjithë kolektorët.