Kryeministri Edi Rama u kërkoi sot kryetarëve të bashkive ndryshim imediat të kursit qeverisës në lidhje me regjistrimin e tokës bujqësore
Në një takim me kryetarët e bashkive, Rama tha se, “arsyeja e dytë themelore, jo më pak e rëndësishme për thirrjen e këtij takimi është domosdoshmëria e një ndryshimi imediat të kursit tuaj qeverisës në lidhje me regjistrimin e tokës bujqësore”.
“Qeveria e mandatit të tretë, PS dhe unë personalisht nuk do të pranojmë më të marrim asnjë kosto publike për zvarritjen e mëtejshme të këtij procesi prioritar”, tha Rama.
“Del edhe tepron mirëkuptimi që keni pasur deri më sot, edhe justifikimi me të gjitha argumentet përkatës që i kemi bërë jo pa të drejtë përgjithësisht kësaj vonese që tani është e patolerueshme. Është e patolerueshme sepse ndërkohë janë bërë të gjitha ato që mund të bëheshin në aspektin legjislativ dhe organizativ që ky proces të hyjë me një shpejtësi krejt të re dhe që regjistrimi i tokës bujqësore të përfundojë brenda mandatit të tretë”, theksoi Rama.
“Regjistrimi i tokës bujqësore është një sfidë historike, për të cilën ne jemi përgatitur, kemi punuar jemi organizuar dy mandate rresht. Tani duhet bërë”, u shpreh Rama.
“Ligji i ri që është pjesë e këtyre përpjekjeve i ka thjeshtuar procedurat, i ka përmbledhur të gjithë arkivat me dokumentet e tokës në një vend në Kadastër. Por ky proces nuk mund të nisë masivisht, po nuk u krye dorëzimi i të gjithë këtyre dokumenteve, regjistra, harta, pranë zyrave të Kadastrës. Dhe këtu kanë rol shumë të rëndësishëm bashkitë, edhe qarqet dhe Prefektët, por këtu jemi me bashkitë dhe për bashkitë, pasi pranë këtyre institucioneve, është depozituar historikisht për 30 vjet ky dokumentacion dhe ka qenë detyrimi ligjor administrimi i këtij dokumentacioni që, akoma sot, nuk po mblidhet dot në Kadastër”, u shpreh kreu i qeverisë.
“Agjencia Shtetërore e Kadastrës iu është drejtuar dy herë në 7 tetor të 2020-ës dhe në 30 mars të 2021-it. Tani, çfarë ka prodhuar ky drejtim dy herë, me shkresë. Vetëm 10% e bashkive e kanë kryer dhe e kanë kryer përgjithësisht pjesërisht, këtë detyrë. Konkretisht vetëm 9 bashki kanë dorëzuar dokumentacionin, ndërsa 52, jo që nuk kanë dorëzuar dokumentacionin, por nuk kanë dhënë asnjë shenjë të lexueshme që po merren me këtë punë”, theksoi Rama.
“Dua t’’ju kujtoj këtu që me ndarjen e re administrative në vitin 2016 bashkitë morën detyrimin që të kryenin mbledhjen e arkivave të trashëguara të ish-komunave. Nuk e kanë bërë akoma deri më sot. Tani o bëhet kjo, o nuk bëhet dot regjistrimi përfundimtar i tokës bujqësore për një dynja njerëz, që dalin nga shtëpia pa u gdhirë dhe që i lënë dhe i gjejnë fëmijët në gjumë për të punuar tokën. Dhe për një ekonomi që nuk mund të zhvillohet megjithë forcën e mundshme për shkak të mungesës të titujve të pronësisë, që pengojnë transaksionet, shitjet dhe blerjet. Për të mos thënë të tjera”, u shpreh Rama.
“Tani argumentet që nxirrni ju janë sa të çuditshëm aq edhe të papranueshëm më. Jo po nuk disponojmë dokumentacionin nga ish-komisionet e ndarjes së tokës në zbatim të ligjit të famshëm të dokumentacionit kryesor arkivor për procesin e ndarjes nga viti 1991 në vazhdim. Jo po formularët janë të amortizuar dhe nuk fotokopjohen. Jo po nuk kemi njerëz. Jo po na duhen mjete. Dëgjoni këtu kemi bërë reformën administrative dhe një pjesë e madhe e bashkive megjithëse duhet të kishin më pak, kanë më shumë njerëz sesa kur kishim 300 e kusur komuna. Dhe janë kthyer bashkitë në hapësira për indulgjenca, si gjithmonë për fat të keq, është bërë dhe siç qeveria, jo ka ndaluar së bëri, por ka bërë të kundërtën, duke i përdorur fondet për pensione në moshë të re, që do të thotë më fut në punë, më jep një rrogë edhe u kry. Pa asnjë llogari eficencë dhe pa asnjë sens financiar. Kështu që njerëzit i keni aty, mjetet i keni aty, po kur ke mjetet, që t’i sjell qeveria, për të pastruar kanalet dhe bën tendera, patjetër që nuk dalin lekët dhe patjetër që nuk funksionon dhe pastaj përfundon në burg”, tha Rama.
“Se janë dy bashki kufitare, Fieri dhe Lushnja, të dy bashkive qeveria i ka dhënë mjete. Sot në Fier nuk ka një kanal në gjithë atë Fier, megjithë atë intensitet prodhimi dhe nevojash për tokën bujqësore, ku të ketë bllokim ose ku të ketë një komunitet që thotë s’po pastroni. Pa tendera. Po duke i ndenjur kryetari i bashkisë në krye edhe kanalet janë të pastra. Në Lushnje as kanalet nuk janë të gjitha të pastra dhe edhe kryetari i bashkisë është në burg, se do bënte tendera. I ka bërë s’i ka bërë s’është fare çështja ime. Unë nuk jam prokuror as avokat, por po flas në parim. Kur do ta bësh ose kur s’do ta bësh punën”, u shpreh Rama.
“Çfarë justifikimi mund të ketë më që fermerët nuk marrin tokën? Çfarë? S’kam njerëz, s’kam mjete. Jo nuk është ky problemi, as ky nuk është problemi, as formularët e amortizuar, as gjithë justifikimi. Problemi në radhë të parë është këtu (tregon kokën), këtu ku shumica juaj nuk e ka ndezur akoma llampën e alarmit për t’i ndenjur 24 orë mbi kokë kësaj pune”, tha Rama.
“Dokumenti është në arkiva s’e nuk ka ku të jetë tjetër. dhe këtu nuk po flasim për dokumente të kohës së Turqisë. Po flasim për dokumente të prodhuara deri në vitin 2000 e që janë përdorur nga bashkitë deri para 1 ose 2 vjetësh”, theksoi Rama.
Patjetër, shtoi kryeministri, “që këtu ka rol dokumentacioni pranë këshillave të qarqeve. Po ju çfarë bëni? Çfarë bëni? Thoni e ka qarku? Ku, në qark do shkojnë ata që ju kanë dhënë juve votën dhe që do ju kërkoni votën prapë për të kërkuar certifikatën e tokës? Ku? Kush do t’i përfaqësojë ata? Unë nga kryeministria? Apo qarku që s’ka marrë një kokërr vote për të qenë aty. Do i përfaqësoni ju. Po të ishte toka e kushërinjve tuaj do e kishit regjistruar që muajin e parë. Po të ishte toka e miqve tuaj do e kishit regjistruar muajin e dytë, po të ishte toka e komshinjve muajin e tretë dhe do e kishit mbaruar këtë punë. Epo nuk janë më pak, janë më shumë të rëndësishëm sesa kushërinjtë, sesa fqinjët, sesa komshinjtë, ata që janë atje sot në diell, ndërkohë që ne jemi këtu në hije me ajër të kondicionuar dhe flasim për atë që ne nuk kemi bërë për ta. Për shkakun tuaj”, tha Rama.
“Dhe këtu do të ndahen përgjegjësitë nuk mund të vazhdojë më kjo punë, duam fonde, duam fonde, duam fonde dhe fondet prokurohen keq dhe ju keni braktisur fshatin në nevojën e vetë më themelore. Letrën që toka që punoj më takon mua sipas ligjit”, theksoi kryeministri.
“Këto janë të dyja. Nuk duan asnjë shkencë. Dhe nuk duan asnjë lekë. Këto duan vullnet të hekurt për të bërë Shqipërinë. Asnjë gjë tjetër. Nga njëra anë prokurimet duhet të ndryshojnë cilësisht dhe nga ana tjetër 90% e territorit që ju qeverisni, se është 90% fshati duhet të hyjë në shtet. Se nuk është në shtet është si pa shtet. Është si pa Zot, përderisa i Zoti nuk ka letrat e tokës dhe shteti nuk ja jep”, tha Rama.