Partia Demokratike ka paditur në Strukturën e Posaçme Antikorrupsion drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliun, për atë që ajo e quan dhunë të ushtruar nga policia në protestat e ditëve të fundit në Tiranë dhe disa qytete kryesore të Shqipërisë, si dhe ka kërkuar pezullimin e tij nga detyra.
PD e akuzon Ardi Veliun për 5 vepra penale, ku mes shpërdorimit të detyrës dhe kryerjes së veprimeve arbitrare, ka penguar të drejtën për të manifestuar dhe ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve, ku mes tyre kishte dhe shumë të mitur.
PD padit Ardi Veliun në SPAK: Urdhëroi dhunën kundër protestuesve dhe qytetarëve të tjerë. Ja 5 veprat penale për të cilat kërkohet pezullimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë deri në përfundim të hetimeve.
“Në protestat paqësore për të kundërshtuar frymën e represionit policor dhe të abuzivizmit qeverisës, është vënë re përdorim i tepruar i dhunës policore, përdorimi në mënyrë të çmendur i gazit lotsjellës. Ai është hedhur në sasi shumë të mëdha në Bulevard dhe në zonat rezidenciale me densitet të lartë qytetarësh, që nuk ishin pjesë e protestës”, shkruhet në njoftimin e PD.