
Banorët e fshatit Fullqet në Bashkinë e Klosit u ankuan një ditë më parë për mungesën e ujit vaditës. Vetë banorët thanë se ky problem ishte prej tre vitesh dhe se të mbjellat e tyre janë e kanë qenë në mëshirë të fatit, vetëm kur ka ndodnjë reshje shiu.
Ndërkohë, të kontaktuar nga Mat Tv, drejtues të Bashkisë Klos thanë se fshati Fullqet vaditet nëpërmjet dy veprave vaditëse, ku njëra prej tyre është jashtë funksionit për shkak të dëmtimit të madh të saj që nga vepra e marrjes.
Zëvendëskryetari i kësaj Bashkie, Armand Gjini u shpreh se problemi i këtyre banorëve është i njohur për pushtetin vendor dhe se janë bërë të gjitha verifikimet në terren. Sipas tij, rindërtimi i këtij kanali ka një kosto deri në 5 milion lekë të rinj, çka për këtë vit e ka bërë të pamundur. Gjini tha për Mat Televizion, se kjo pjesë e fshatit Fullqet do të jetë në prioritet e para në buxhetin e vitit të ardhshëm të Bashkisë së Klosit, për ta rivënë në funksion veprën vaditëse në mënyrë që fermerët të mos penalizohen nga mungesa e ujit për të mbjellat e tyre.