Rama u përgjigjet studentëve. Ja kur do të rihapen universitetet

0

 Në një komunikim të drejtpërdrejtë me ‘portalistudentor.al’ në ‘Instagram’, kryeministri Edi Rama u pyet sot në lidhje me hapjen e universiteteve, pas vendimit të qeverisë për vijimin e mësimit ‘online’ për universitetet në këtë vit të ri akademik, për shkak të pandemisë COVID-19.

A do të qëndrojnë Universitetet të mbyllura deri në pranverë? Kësaj pyetjeje kryeministri Edi Rama nuk i dha dot një përgjigje para studentëve. Ai tha se tani është shumë herët për të folur për këtë çështje, pasi sipas tij, situata pandemike mund të ndryshojë brenda ditës dhe deri më tani është dashur të merren vendime në momentit të fundit.

“Nuk jemi në një situatë normale kur vendimet duhet të lajmërohen shumë kohë më përpara. Faktikisht vendimi është marrë pak ditë para se të hynte në fuqi por siç mund të themi këtë duhet të themi edhe tjetrën se është e kotë të bëjnë spekulime se deri kur do qëndrojë kështu situata”, – u shpreh Rama.

Ai tha se po diskutohet mundësia për të ulur paketat e internetit ndërsa përjashtoi mundësinë e zhvillimit të mësimit në auditore në kushtet aktuale të pandemisë.

“Informacionet që unë kam është që edhe aty është mundësia. Por nuk është e njëjta gjë si të shkojnë në shkollë dhe të kishin kontakte me pedagogët. Në këtë situatë të jashtëzakonshme nuk kemi shumë zgjidhje dhe duhet ndjekim këto rrugë që kemi.

Mund ta shtrojmë për diskutim uljen e paketave të internetit për të parë se sa do të jetë e mundur në këtë fazë. Ne kemi përfshirë në buxhetin e vitit 2021 një ndihmë direkte për familjet në nevojë jo të lidhura me Covidin por për marrjen e dyfishit të ndihmës së zakonshme ekonomike”, – deklaroi kryeministri.