
Në prag të ndërrimit të viteve Shqipëria ka siguruar zyrtarisht 500 mijë dozat e para të vaksinës nga kompania Pfizer,” – kështu e nisi fjalën e tij kryeministri Rama.
Në një deklaratë për mediat ai bëri me dije se Shqipëria ka siguruar 500 mijë doza të vaksinës Pfizer dhe ky nuk është fundi i përpjekjeve për të siguruar gjithë dozat e nevojshme.
Vaksina do të jetë falas dhe jo e detyrueshme por e këshillueshme për të ndryshuar situatën e pandemisë në favor të popullsisë.
Ai tregoi se është dakordësuar me akt normativ për autorizimin e kontratës sipas marrëveshjes së konfirmuar zyrtarisht nga kompania Pfizer dhe do të paguhet menjëherë për vaksinat.about:blank
10,750 dozat e para do të mbërrijnë në fillim të javës së tretë të janarit, më tej 30,250 doza do të vijnë në shkurt dhe të tjerat me radhë në bazë të planit të vaksinimit.
Sipas Ramës ky është një vit vendimtar për luftën ndaj COVID-19.
“Plani i vaksinimit do të realizohet sipas parashikimit, pa ngadalësim,” – tha ai.
Kryeministri Rama tregoi gjithashtu se është garantuar marrëveshja me dy vende të cilat do të mbështesin Shqipërinë me 9 mijë doza të vaksinës Pfizer deri gjysmën e parë të janarit.
Duke qenë se nuk dihet nëse marrëveshja me Pfizer do të ndikojë te solidariteti i dy qeverive mike, Rama vendosi të mos i përmendë emrat e shteteve që po ndihmojnë vendin në garantimin e dozave të nevojshme të vaksinës.
Ndërkohë ai përmendi dhe negociatat që po bëhen dhe janë në përpjekje e sipër për sigurimin e vaksinës nga AstraZeneca.
“Shumë shpejt do të kemi qartësi për rezultatin e këtyre negociatave,” – u shpreh ai.
Ndërkohë që shtoi gjithashtu se vendimi i Bashkimit Europian, diskriminues ndaj Ballkanit, ishte i papranueshëm moralisht, i pakuptueshëm politikisht dhe i pajustifikueshëm logjikisht.
“Si njeri ndihem i indinjuar, si europian ndihem i turpëruar e si kryeministër ndihem më i motivuar se kurrë që shqiptarët mos të ndihen të përjashtuar nga fushata e vaksinimit,” – tha Rama.
Ai tregoi se nuk do lëmë pa “qarë hallin” edhe me Kosovën duke dhuruar sasinë e nevojshme të vaksinave për bluzat e bardha që janë në vijën e zjarrit.