Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka pritur sot në një takim eksperten Luljeta Bozon, e cila tha se edhe pse nuk i pëlqen të dalë në televizor, ajo e ka bërë këtë me qëllim për të qetësuar njerëzit pas dramës së 26 nëntorit.

Shefi i qeverisë  e falënderoi eksperten Bozo, ndërsa e përgëzoi rolin e saj që ka kryer në qetësimin  psikologjik të njerëzve. Ajo kishte edhe një kërkesë për qeverinë, ku tha se tani duhet treguar më tepër kujdes me ekspertizën dhe me verifikimet e dëmeve të shkaktuar nga tërmeti shkatërrimtar.

Pjesë nga biseda:

Rama: Unë  nuk kam pasur fare mundësi t’i ndjekë, sepse nuk i shoh këto tendat televizive, por më ka rënë në sy që shkruanin edhe për ju dhe që keni bërë një punë të madhe për të qetësuar  njerëzit.

Bozo: I kam qetësuar. Skam qejf të dalë në televizor, absolutisht, por kam dalë vetëm për këtë.

Rama: Sepse janë mbushur me sharlatanë dhe me deliratë  dhe me njerëz që flisnin broçkulla.

Bozo: Kam shkuar në objekte dhe në shkolla. Unë kam një shqetësim timin. Njerëzit u strehuan, mirë keq u futën brenda. Tashi fillon ekspertiza. Tani këtu e kam merakun, sepse nuk ka një grup në institut që t’i mbulojë të gjitha. Shkon i huaji thotë që mban pallati, ndërsa shkon pastaj pushteti vendor dhe i vë shiritin.

Rama: Ne u kemi kërkuar të huajve të na thonë mban apo jo struktura. Po shiriti të vihet deri sa të riparohet. Një shkallë që kërkon një riparim , prandaj janë këto shirita. Mendon që do ishte pozitive nëse ju do na ofroni ndihmë për pjesën e paketës së riparimeve. Jeni një burim sigurie më shumë për njerëzit. Ne po bëjmë një paketë të standardeve të riparimeve.