
Pallati i Sportit “Ferit Hysa” në Mat, një hapësirë sportive e rehabilituar prej 800 vendesh, është tashmë në funksion të aktiviteteve sportive për të rinjtë.
Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një vizitë në këtë pallat sporti, ku u takua me të rinj e të reja, si dhe fëmijë të moshave të ndryshme që stërviten aty.
Rama tha se “shumë shpejt, nga mesi i nëntorit, do të merrni uniformat e reja, që nga veshjet, çantat, këpucët, topat, për të qenë gati për kampionat. Do të bëni kampionatin brenda bashkisë, pastaj në qark dhe pastaj atë kombëtar”.
Rehabilitimi i pallatit të sportit ka ndryshuar jo vetëm imazhin e hapësirave të jashtme e të brendshme, por ofron kushte më të mira për zhvillimin e sporteve të lojërave me dorë.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe pikturave murale, të cilat i japin një imazh sportiv këtij ambienti. Hidroizolimi i tarracës, nyjet sanitare, sistemi elektrik, ambientet e dhomave të brendshme i janë nënshtruar të gjitha ndërhyrjes.