Ballina POLITIKE Rama nga Bulqiza: Financim për rritjen e tokave të mbjella

Rama nga Bulqiza: Financim për rritjen e tokave të mbjella

0

 Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me fermerët e Shupenzës, Bulqizë, te tregu i ri i produkteve bujqësore e blegtorale, një hapësirë funksionale për fermerët e zonës.

Kryeministri solli në vëmendje disa të dhëna nga zhvillimi i bujqësisë në këtë zonë, falë edhe financimit nga skemat mbështetëse.

“Është vërtetë e jashtëzakonshme puna juaj dhe janë vërtetë të jashtëzakonshme të dhënat e kësaj zone. Ndërkohë që paraqitet një tjetër realitet mbi fshatin në televizor me  gjithmonë e më shumë gënjeshtra, sajesa, fabrikime, manipulime dhe helm”, tha Rama.

Kryeministri tha se në këtë zonë ka 1 144 ha të mbjellë me drithë, 136 ha me perime, 160 ha me patate, 34 ha me fasule, 6730 foragjere të njoma, 266 ha me pemëtore, 35 ha me vreshta dhe 146 754 rrënjë mollë, kumbull, dardhë, rrudh, qershi, arra, lajthi që zënë një sipërfaqe të konsiderueshme.

Kryeministri siguroi se qeveria do të vazhdojë të financojë përmes skemave mbështetëse.

“Faktet e Shqipërisë në fshat janë komplet ndryshe nga çfarë njerëzit që nuk e jetojnë fshatin përditë dinë. Për fat të keq gjithë ajo që thuhet për fshatin jo vetëm krijon idenë se është i zhytur në mjerim, por edhe nuk inkurajon më të rinjtë që të merren me punën në fshat. Kjo është koha që jetojmë dhe secili duhet të bëjë shumë kujdes që të mos keqpërdoret dhe manipulohet nga dezinformimi që janë pjesë e mënyrës së të bërit politikë në këtë vend. Një pjesë e atyre që merren me politikë nuk pushojnë së helmuari njerëzit, gënjyeri, shpifuri, me sharje e akuza, fjalë që vetëm na largojnë nga tradita, doke, zakone, që është mirë t’i respektojmë’”, tha Rama. 

Exit mobile version