Kryeministri Edi Rama zbuloi për herë të parë se si do të jenë shtëpitë që do të ndërtohen nga Turqia në zonën e Laçit.
Rama i prezantoi një ide-projekt të shtëpive që do të ndërtohen në Laç, ia tregoi një familjeje në fshatin Gjorm, teksa konsumonte drekën e Krishtlindjes me ta.
“Dua të uroj Gëzuar Krishtlindjen të gjithëve, pa dallim feje se i festojmë të gjithë. Edhe Krishtlindjet, edhe Bajramin e festojmë të gjithë. Një urim sidomos për të prekurit nga tërmeti. Vitin tjetër krishtlindjet iu gjejnë në shtëpinë e re/ Do të ngrihen komplekse, me projekt, ku do të strehohen të gjithë ata që janë prekur nga tërmeti. Do të bëhet Laçi qytet mjaft interesant. Shpresa ime është që në fillim të pranverës do të nisim punën. Ata që kanë shtëpi individuale, do të sistemohen avash-avash. Ne do të rindërtojmë Laçin për një vit, për shkak se është në volum më të vogël. Ndërsa Durrësi është më i madh, do na duhet më tepër kohë, por do i bëjmë edhe ato”.
500 shtëpitë që janë marrë përsipër të ndërtohen nga shteti turk dhe jo vetëm, do t’u jepen qytetarëve të pajisura edhe me mobiliet apo elektroshtëpiaket kryesore.
Një takim, Rama, e pati edhe me banorët e strehuar nëpër çadra me premtimin se deri në pranverë do të jenë zhvendosur nëpër shtëpi.