Rama mbledh furnizuesit: Rritja në Shqipëri e moderuar, çmimi në bursa 40% më i lartë. Nafta arrin mbi 2 mijë lekë për litër,

Rama mbledh furnizuesit: Rritja në Shqipëri e moderuar, çmimi në bursa 40% më i lartë. Nafta arrin mbi 2 mijë lekë për litër,

Kryeministri Edi Rama zhvilloi një bashkëbisedim me furnizuesit e naftës në kuadër të situatës së krijuar nga kriza globale e çmimeve, pas zhvillimeve të fundit të lidhura me luftën në Iran. Gjatë takimit Rama pretendoi se, ndonëse në bursat ndërkombëtare është regjistruar një rritje e çmimit të naftës deri në 40%, në Shqipëri kjo rritje ka qenë më e moderuar. Ai vlerësoi qasjen e operatorëve të tregut, duke e cilësuar atë si të përgjegjshme në këtë fazë të krizës. Kryeministri kujtoi gjithashtu përvojën e krizës së mëparshme të shkaktuar nga agresioni rus ndaj Ukrainë, duke theksuar se shteti është detyruar të marrë rol aktiv në menaxhimin e situatës në tregun e karburanteve. Sipas Ramës, sfida mbetet e hapur pasi askush nuk mund të parashikojë se si do të evoluojë çmimi i naftës në bursë apo kur do të përfundojë kriza. Ai bëri të ditur se rezervat aktuale të kompanive konsiderohen të mjaftueshme për rreth 30 ditë, ndërsa në kontrata janë të garantuara furnizime deri në 100 ditë. Në këtë kuadër, qeveria është duke punuar për forcimin e rezervës shtetërore të naftës, me synimin që ajo të arrijë një kapacitet fizik prej rreth 100 ditësh. Rama njoftoi gjithashtu një nismë për futjen në treg të një faktori shtetëror si distributor garant dhe shumice, që sipas tij do të ndihmojë në stabilizimin e tregut dhe lehtësimin e punës për operatorët.