
Partia Socialiste mblodhi kryesinë pasditen e sotme nga ku ishte paralajmëruar se do të zyrtarizohej lista e plotë për kandidatët e bashkive për zgjedhjet e 30 qershorit, por kryeministri, në një deklaratë për mediat pas mbledhjes, u shpreh se lista do të zyrtarizohet ditën e shtunë.
“Sot kemi bërë një diskutim paraprak për t’i paraprirë vendimmarrjes së ditës së shtunë, ku do të konsolidojmë të gjithë listën e kandidatëve për kryetarë të bashkive, si dhe për këshillat bashkiakë. Për kryetarët do të vendosim emër për emër ditën e shtunë, për këshillat bashkiakë do të konsolidojmë të gjitha kriteret.
Në 30 qershor do të kërkojmë votën e qytetarëve në të gjitha bashkitë e vendit për të marrë një mandat për katër vitet e ardhshme, ku i synojmë të 61 bashkitë. Ne jemi regjistruar me një koalicion dhe kandidatët do të jenë nga koalicioni natyrisht”, u shpreh Edi Rama.