Qeveria Krijon Task Forcë dhe Faktor Shtetëror Kundër Rritjes Abuzive të Çmimeve të Karburanteve

Qeveria Krijon Task Forcë dhe Faktor Shtetëror Kundër Rritjes Abuzive të Çmimeve të Karburanteve

Zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe ndikimi në çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare kanë vënë në lëvizje qeverinë shqiptare. Si masë parandaluese, është ngritur një task forcë për të parandaluar rritjen abuzive të çmimeve në tregun vendas të hidrokarbureve.

Kryeministri theksoi se rritja e çmimit të naftës është një pasojë e pashmangshme e ndërprerjes së zinxhirit të vlerës në shkëmbimet tregtare në ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, ai deklaroi se qeveria nuk do të rrijë duarkryq. "Jemi në momentin kur do të finalizojmë krijimin e një faktori shtetëror me impakt në tregun e brendshëm të naftës, i cili do të luajë rolin e stabilizuesit të tregut, do të ndikojë në rritjen e transparencës së çmimit, si dhe do të garantojë furnizimin në treg, duke pasur në mbështetje një kapacitet shumë të rëndësishëm siç është garancia sovrane," tha ai.

Ky faktor shtetëror synon të sigurojë që nafta e tregtuar në Shqipëri të mos ndikohet aq fort nga luhatjet në tregjet ndërkombëtare. Paralelisht, Ministrja e Ekonomisë ka ngritur një task forcë të përbashkët me Ministrin e Financave. Kjo task forcë do të vërë në veprim administratën tatimore dhe doganore për të rritur kontrollin në tregun e hidrokarbureve dhe për të parandaluar çdo rritje abuzive të çmimeve të karburanteve. Gjithashtu, grupi do të studiojë ndikimin mbi fenomenin abuziv të rritjes së çmimeve të ushqimeve.

Ky grup do të fokusohet me një plan të detajuar në gjithë zinxhirin e tregtimit të karburanteve, si në shumicë, ashtu edhe në pakicë, ndërsa çmimet do të jenë nën monitorim të vazhdueshëm nga institucionet përkatëse.

Po ashtu, projektligji për rezervat strategjike të naftës është tashmë në konsultim publik. Kjo nismë, e ndërmarrë kohë përpara kësaj situate, parashikon krijimin e rezervave që shtrihen nga një në tre muaj. Kryeministri theksoi se ambicia shkon përtej kësaj dhe shprehu besimin se në pak muaj, qytetarët do të prekin fillimin e një ndryshimi të shumëpritur në tregun e karburanteve.