Rekamë

Qendra Kulturore e Fëmijëve Mat në bashkëpunim me Zyrën Vendore Arsimore Mat organizuan panairin “Vjeshtë në Mat”, me pjesmarrjen e 8 shkollave 9-vjeçare nga e gjithë Bashkia e Matit. Panairi u mbajt pranë Qendrës Kulturore të Fëmijëve Mat, ku nxënësit ekspozuan prodhimet tradicionale të zonave të tyre. 8 grupet pjesmarrëse shpalosën ushqime tradicionale të gatuara në shtëpi, prodhimet e stinës. Panairit nuk i munguan as punimet artizanale apo veshjet tradicionale sipas zonave. Pejsmarrësit në këtë panair patën mundësinë jo vetëm të njiheshin me prodhimet e zonave të ndryshme të trevës së Matit, por edhe t’i shijonin ato. Drejtoresha e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Mat, Anduena Sefgjini tha se panairi synon të përçojë vlerat e kulinarisë dhe ato kulturore të trevës së Matit.
Për pjesmarrësit organizatorët kishin menduar edhe vlerësime. Me çertifikatë mirënjohjeje u vlerësuan shkollat “Gjergj Kastrioti” Baz, “Ahmet Xhetani” Derjan, “Rexhep Kërtuka” Frankth, “Ilia Qiqi” Burrel dhe shkolla 9-vjeçare “Ali Xhetani” Zenisht. Ndërkohë me tre çmimet e para u vlerësuan nga juria, në vendin e tretë shkolla “Papa Gjon Pali II” Ulëz, në vendin e dytë “31 Korriku” Burrel dhe në vendin e parë shkolla “Abdyrrahman Përmeti” Lis.