Top Channel është përballur me një situatë të rëndë mesnatën e së dielës, ku është qëlluar me armë zjarri në drejtim të godinës nga persona ende të paidentifikuar.

Roja i sigurisë, Pal Kola 60 vjeç humbi jetën, pasi u qëllua me armë rreth orës 01:00, në rrethana ende të paqarta.

Në autostradën e Kavajës, tek vendi i quajtur “Përroi i Agait” është gjetur një mjet i djegur tip “Range Rover”, i cili dyshohet se u përket autorëve.

Sipas informacioneve, targat e mjetit rezultojnë të vjedhura.

Policia është në vendngjarje, ndërsa grupi hetimor vijon punën  për zbardhjen e rrethanave. Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli dhe vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Tiranë/Informacion paraprak

Më datë 27.03.2023, rreth orës 01:00, në Mëzes, në rrethana ende të paqarta, nga persona ende të paidentifikuar, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të Top Channel.

Si pasojë e të shtënave ka humbur jetën roja i sigurisë shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).

Është ngritur grupi hetimor dhe nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna intensive për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, sekuestrimin e provave që do të shërbejnë për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pikat e kontrolleve dhe vijon puna për identifikimin e kapjen e autorëve.

Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Begaj u ka bërë thirrje organeve ligjzbatuese për zbardhjen sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë të kësaj ngjarje kriminale. Po ashtu, Presidenti i ka shprehur ngushëllimet familjes së rojës Pal Kola, i cili mbeti viktimë.

Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola. Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale”, shkruan Begaj. Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulat Balla ka dënuar sulmin terrorist ndaj televizionit më të madh kombëtar Top Channel, ku mbeti i vrarë punonjësi i sigurisë Pal Kola.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar në Twitter pas sulmit me armë ndaj godinës së Top Channel, si pasojë e të cilit mbeti i vrarë roja i objektit.

“Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues“, lexohet në postimin e kreut të qeverisë.

Reagimi i Taulant Balles

“Sulmi terrorist ndaj televizionit më të madh kombëtar, ku mbeti i vrarë punonjësi i sigurisë Pal Kola, është një akt tepër i rëndë dhe që kërkon një kundërpërgjigje të qartë dhe të fortë nga shteti. Duhet bërë çmos në identifikimin e autorëve dhe për një ndëshkim model, në mënyrë që ngjarje kriminale të këtij lloji kundër medias së lirë të mos ndodhin më. Ngushëllime familjes së madhe Top Channel për humbjen e një pjesëtari të kësaj kompanie të madhe mediatike të gjithë shqiptarisë. Si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë i shpreh solidaritetin e plotë Lori Hoxhës dhe të gjithë punonjësve të Top Channel në këtë moment kaq shqetësues”.

Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha ka dënuar sulmin me armë ndaj personelit të sigurisë në Top Channel, ku për pasojë humbi jetën roja i objektit, Pal Kola.

Duke i shprehur ngushëllime familjes së viktimës, miqve, të afërmve dhe kolektivit të Top Channel, Berisha thekson se akti kriminal është një tjetër dëshmi e dhimbshme e pasigurisë së plotë, që ekziston sot në vend.

Një akt kriminal i shëmtuar. Sulmohet me armë zjarri Top Channel dhe ekzekutohet në kabinën e tij roja e objektit.

Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar kriminal dhe i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së viktimës, miqve, të afërmve dhe kolektivit të Top Channel.

Denoncoj këtë akt kriminal, si dëshmi tjetër e dhimbshme e pasigurisë së plotë, që ekziston sot në vend nga vendosja e rendit nga regjimi në duart e krimit”- shkruan Berisha.