
Vetëm 15 qytetar në të gjithë Qarkun e Dibrës janë aktualisht të infektuar me Covid-19, duke bërë që ky qark të shkojë drejt shurajes së virusit. Sipas njësive Vendore të Kujdesit Shëndetësore në të tre rrethet e Qarkut, 9 raste aktive janë në Dibër, 1 në Bulqizë dhe 5 në Mat.
Rënia e numrit të infektimeve është vënë re edhe nga rënia e ndjeshme e fluksit të qytetarëve që paraqiten pranë spitaleve të këtij qarku me simtoma të Covid-19 apo virozave stinore.
Nëse edhe në vijim nuk do të ketë raste të reja, sipas specialistëve të shëndetësisë, brenda 4 ose 5 ditëve në Qarkun Dibër nuk do të ketë asnjë të infektuar aktiv. Rënia e infektimeve është reflektuar në të gjithë vendin, duke bërë që aktualisht në të gjithë territorin të kemi rreth 2700 të infektuar.
Megjithë situatën e qetë, specialistët e shëndetësisë këshillojnë që të mos neglizhohen simptomat e Covid-19. Në rast të shfaqjes së tyre, duhet kontaktuar menjëherë mjeku i familjes apo numri unik 127.