Pse nuk ndërhyhet në rrugën nacionale në Suç?
Janë të pakta problemet që ka rruga nacionale Burrel – Klos. Më shqetësues është dëmtimi që ka pësuar në fshatin Suç në degëzimin e rrugës së Kurdarisë. Megjithëse është bërë vazhdimisht problem mediatik, institucionet përgjegjëse heshtin, duke mos reaguar në zgjidhjen e këtij problemi që mund të ketë edhe fatalitet në jetë njerëzore. Dëmtimi i rrugës ka nisur vite më parë, ndërsa zgavra poshtë asfaltit sa vjen e thellohet për shkak të ujërave nëntokësor që vijnë nga kanalet kulluese të një pjese të fshatit Suç por edhe rrugës së Fshatit Kurdari. Këmbët e barrierës mbrojtëse metalike kanë mbetur në ajër, duke mos dhënë asnjë siguri për të gjithë drejtuesit e mjeteve që lëvizin në drejtim të Klosit. Jo vetëm që problemi nuk është zgjidhur për të penguar dëmtimin e mëtejshëm të rrugës, por kompania mirëmbajtëse apo institicionet që kanë përgjegjësi mbi këtë rrugë, nuk kanë vendosur as sinjalistikë paralajmëruese për drejtuesit e automjeteve që të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes aty. Askush nuk e di që poshtë asfaltit është tërësisht hapësirë boshe dhe nëse automjetet kalojnë afër barrierës metalike mund të përfundojnë në lumin e Matit dhe mund të ketë tragjedi njerëzore.