PS mblidhet për çështjen Balluku, në fokus kërkesa e SPAK
Ditën e së Hënës do të gjejë të mbledhur Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste për të diskutuar dhe vendosur për një prej çështjeve më të nxehta brenda partisë së tyre gjatë viteve të fundit.
Burime nga Grupi i PS bëjnë me dije se pritet leximi i raportit të pesë anëtarëve socialistë në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit, lidhur me kërkesën e SPAK për lëshimin e autorizimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Raport i cili i është besuar të hartohet prej Ulsi Manjës.
Parashikohet mbajtja e një fjale nga kryesocialisti Edi Rama me qëndrimin politik final për këtë kërkesë të SPAK. Deputetët socialistë janë njoftuar prej kryetarit të tyre të grupit Taulant Balla për një pjesëmarrje të detyrueshme në këtë mbledhje.
Parashikohet që dy raportet, ai i opozitës dhe shumicës socialiste, të lexohen, diskutohen dhe votohen në seancën e parlamentit të së enjtes, më 12 Mars.
Burime nga shumica socialiste nuk e përjashtojnë mundësinë e mbajtjes së një fjale në këtë seancë, nga vetë deputetja Belinda Balluku, përpara të gjithë deputetëve për të thënë të vërtetën e saj përballë kërkesës së lëshuar më 16 Dhjetor të vitit të shkuar prej prokurorëve të SPAK.