
Partia Socialiste po feston në shesh fitoren e mandatit të tretë. Ende pa u shpallur rezultati zyrtar, me një epërsi të qartë, socialistët janë mbledhur në festë në sheshin “Skënderbej”. Kryeministri Rama tha se një mandat tjetër i jep mundësinë për ta udhëhequr vendin drejt majës. Duke e vlerësuar PS si një makineri fitoreje, Rama iu drejtua kryedemokratit Basha për t’i kërkuar të pranojë humbjen në mënyrë dinjitoze. Rama tha se mazhoranca e dalë nga këto zgjedhje i shtrin dorën e bashkëpunimit në të mirë të vendit opozitës, ndërsa në asnjë moment nuk përmendi LSI-në.
Shqipëria votoi, Shqipëria vendosi, Shqipëria fitoi. Fitoi karakteri ynë edhe përballë fatkeqësive natyrore. Fitoi pakënaqësia jonë me gjërat që nuk shkojnë, si një shtysë për t’i zgjidhur gjërat. Fitoi durimi ynë i kalitur në vështirësi të mëdha. Fitoi forca më e madhe demokratike politike, që shqiptarët kanë krijuar ndonjëherë, PS.
Kjo është fitorja ime e parë në mungesën e dikujt që më ka ndenjur pranë dhe më ka ndjekur si hije me përkujdesjen e paepur. Dikush që më mungon tmerrësisht sot mes jush dhe shpresoj që më sheh nga lart, nëna ime, Aneta.