Ditën e sotme dhjetëra shoferë fugonësh të linjës Peshkopi-Tiranë, kanë parkuar mjetet e tyre në terminalin e qytetit të Peshkopisë si shenjë proteste.

Ata shprehen për ‘Abc News’ se kompania e cila i ka përsipër është licensuar në mënyrë abuzive dhe ka probleme me dokumentacionin.

Sipas tyre, kompania nxorri në rrugë rreth 50 shoferë bashkë me mjetet e tyre, abuzon dhe nuk zbaton oraret e nisjes, ka raste kur fugonët nuk mbushen dhe qytetarët duhet të presin deri në 3-4 orë.

“Ne kemi 8 vjet që ankohemi pranë institucioneve shtetërore. Çështjen e kemi çuar edhe në prokurori dhe prokuroria hesht. 

Nuk kemi gjetur asnjë zgjidhje. Kemi punuar prej 30 vitesh shoferë në linjën Peshkopi-Tiranë. Sot na mohohet ajo e drejtë. Kemi qenë të licensuar dhe me të gjitha të drejtat. 

Ne duhet të marrim masat më ekstreme sepse nuk është dëgjuar fjala. Makinat që janë këtu i ka në punë vetëm një persona me letra fallco, këtë nuk e themi ne, por prokuroria. Ndërsa shteti hesht”, thotë një nga shoferët.

Një tjetër shofer thotë se kërkojnë punën që kanë pasur e cili sipas tij është marrë nga një njeri i inkriminuar.

“Kemi dalë në mënyrë paqësore dhe nuk kemi çështje partiake, por kërkojmë punën tonë e cila na është marrë nga një njeri u inkriminuar. Ne nuk do të heqim dorë deri sa të kemi zgjidhje,” shprehet shoferi.