Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar u zhvendos këtë të Mërkurë në qytetin e Peshkopisë. Artistët dhe qytetarët protestuan para Pallatit të Kulturës “Haki Stërmilli” në bulevardin “Elez Isufi”. Aktori Robert Budina tha se artistët rezistuan për më shumë se dy vite dhe në këtë periudhë janë dhënë më shumë se 60 shfaqje falas. Pra sipas tij, shembja e teatrit nuk ishte vetëm një akt fizik, por edhe një shembje e artit dhe kulturës.

Aktorja Juli Emiri tha se teatri lidhet me çdo qytetar pasi tregoi një akt të rëndë të shkeljes së demokracisë në vend e për këtë, duhet një reagim mbarë popullor, për t’i thënë JO shkljes së të drejtave qytetare.

Regjisori Edmond Budina tha se shembja e teatrit ishte një akt kriminal e këtë po e thonë edhe të huajt, pasi u godit trashëgimia historike e kulturore.

Dhjetra qytetarë të Dibrës firmosën peticionin për rindërtimin e teatrit kombëtar aty ku ishte më parë, duke ruajtur origjinalitetin e tij. Në mbështetje të artistëve ishte edhe ish deputeti Xhemal Gjunkshi e drejtues të Partisë Demokratike në Dibër.