Rekamë

Banorët e fshatit Kërçisht i Sipërm në Njësinë Administrative Maqellarë në Bashkinë Dibër vijojnë të mos lejojnë mjetet të punojnë në rrugë, me argumentin se është kurth për të futur tubacionet e ujësjellësit në burimet ujore të fshatit të tyre. Dhjetra banorë protestuan sërish këtë të hënë duke mos lejuar automjetet të kryenin punime, ndërsa nga ana tjetër, protesta u monitorua nga afër nga dhjetra forca policie. Banorët i kërkojnë Bashkisë Dibër, të mos vijojë me investimin, pasi nuk do ta lejojnë për asnjë çmim.

Të kontaktuar nga ana jonë, përfaqësues të Bashkisë Dibër, thanë se mjetet nuk janë aty për ujësjellësin, por për të rehabilituar rrugën e fshatit Kërçisht i Sipërm. Ata shtuan se kjo ju është bërë e ditur edhe banorëve, madje ju është dhënë edhe garanci se nuk do të preken burimet ujore të fshatit.