Protesta e Djeshme e PD: Berisha e Cilëson “Kryengritje Paqësore”

Protesta e Djeshme e PD: Berisha e Cilëson “Kryengritje Paqësore”

Një qytetar dhe deputeti demokrat Beldjon Nallbati mbetën të plagosur gjatë protestës së djeshme të PD në kryeqytet. Por protestën, e cila u mbyll me akte dhune, molotovë dhe fishekzjarrë, Sali Berisha e cilësoi sot gjatë konferencës për mediat si një kryengritje paqësore. “Protestuesit meritojnë mirënjohjen më të pakufishme, nderimin më të madh, të cilët dje me kryengritjen paqësore i zbardhën faqen Shqipërisë. Shënuan një kapitull të ri, në kryengritjen paqësore të popullit shqiptar kundër narkoregjimit të Edi Ramës”, tha Berisha. Berisha tha më tej se Edi Rama kishte përgatitur “skenar gjakderdhjeje dhe ekzekutim të protestuesve”. “Të tmerruar nga urtia dhe qëndrueshmëria e protestuesve, Edi Rama kishte përgatitur skenarin e gjakderdhjes, ekzekutimin e protestuesve paqësorë në shesh. Për këtë qëllim kishte vënë në krye të banditëve me uniformë, kriminelin Sokol Bizhga. Urdhëroi snajperat të qëllojnë katër protestues, të cilët në mënyrë absolute nuk po kryenin asnjë veprim ndaj policëve të rendit. Goditja me plumba gome në kokë provohet në të shumtat e rasteve rezulton vdekjeprurëse. Dhuna e egër e banditëve nuk kurseu as deputetë. U vërsulën me urdhër dhe goditën Bledjon Nallbatin, i cili nuk po kryente asnjë veprim…” “Siç e patë ju, i hidhnin gaz policëve vetë dhe i fusnin në ambulancë. Mbrëmë kam shkuar vetë te spitali i Traumës. Këta njoftonin se 7 policë janë në spital. Asnjë i vetëm nuk ishte. Personeli mjekësor më njoftoi se aty kishin shkuar 5 policë, por pa asnjë problem. Nuk kishte asnjë polic të plagosur, është gjithçka skenar. I kanë dërguar në spital vetëm për të plotësuar skenarin”, tha më tej Berisha.