Ballina AKTUALITET PROMOVOHEN DY LIBRA ARTISTIKË TË AUTORES SË RE MATJANE ELONA BASHA NGA...

PROMOVOHEN DY LIBRA ARTISTIKË TË AUTORES SË RE MATJANE ELONA BASHA NGA KLUBI LETRAR “P. BUDI” MAT

0

Klubi letrar “Pjetër Budi”, Mat, në bashkëpunim me Bibliotekën “Pjetër Budi”, Mat, mbyllën siparin e veprimtarive për këtë vit kalendarik me promovimin e dy librave të aotores së re matjane Elona Basha. Veprimtaria u zhvillua në mjediset e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Mat, që mban emrin e instrumentistit virtuoz Ymer Neli, “Mjeshtër i Madh”, i ndarë para pak ditësh nga jeta, për të cilin u mbajt një minut heshtje nderimi. 

Për librin me poezi “Lër shpirtin të flasë” referoi redaktori i këtij libri Hamdi Hysuka, ndërsa për librin në prozë “Nën hijen e realitetit” Renato Totraku përcolli shkrimin e analistit Martin Deda.

Diskutatët që morën fjalën si shkrimtarët Bajram Canameti, Basir Bushkashi, mësuesi Abaz Cakoni, publicisti dhe shkrimtari Qemal Cenaj, shkrimtari Ermal Lala, drejtoresha e QKF Anduena Sefgjini, Përgjegjësja e Bibliotekës Mat Fiqerete Kurti vlerësuan me nota pozitive vargun poetik të autores Elona Basha dhe në veçanti e përgëzuan atë për mesazhet që përcjell përmes prozës poetike në librin e saj të dytë “Nën hijen e realitetit”.

Për ta njohur më në detaje penën e Elona Bashës, nxënësit frekuentues të Bibliotekës publike Mat recituan dhe sollën për të pranishmit pjesë nga të dy librat e saj.

Ndërsa në emër të shkollës ku punon autorja, drejtoresha Marjola Elezi e përgëzoi Elonën për krijimtarinë dhe i dhuroi një buqetë me lule.

Në fund të takimit promovues autorja Elona Basha falenderoi të pranishmit, redaktorin e të dy librave të saj si dhe diskutantët për vlerësimin që i bënë, duke u shprehur se kritikat e tyre do t’i vlejnë shumë në botime të tjera të ardhshme të saj.

Exit mobile version