Rekamë

Prokurorët e Dibrës Rifat Kojku dhe Belina Zeneli kanë marrë në dorë hetimet për dosjen “184”. Objekt hetimi i kësaj dosjeje është shitblerja e votave në zgjedhjet e pjesshme lokale në Dibër në vitin 2016. Procedimi penal u regjistrua ne Dibër pasi Prokuroria për Krime të Rënda shpalli moskompetencë. Prokuroria e Dibrës ka caktuar dy prokurorët që do të vijojnë hetimet për dosjen “184”, e cila ka të bëjë me shitblerjen e votave në zgjedhjet e pjesshme lokale në Dibër në vitin 2016. Kjo dosje tashmë do të jetë në duart e dy prokurorëve Rifat Kojku dhe Belina Zeneli. Dosja “184” u regjistrua 3 vjet më parë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, por kohët e fundit, ky organ i akuzës shpalli moskompetencën, me argumentin se objekt hetimesh nuk është një grup i strukturuar kriminal, por bashkëpunimi i thjeshtë. Kjo dosje u bë objekt diskutimi midis institucioneve të hetimit pasi organi i akuzës Dibër i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme që dosjen ta hetoje organi i akuzës për Krime të Rënda, duke e kundërshtuar faktin se bëhej fjalë për bashkëpunim të thjeshtë. Në kërkesën e tyre, prokurorët e Dibrës argumentuan se gjendeshin në situatën e konfliktit të interesit dhe se nuk kishin staf të mjaftueshëm, për të kryer hetimet. Drejtuesja e Prokurorisë së Dibrës Esmeralda Cami (Keshi) u përjashtua nga ky hetim pasi gjendet në situatën e konfliktit të interesit duke qenë se ka lidhje të afërta me një nga personat që është nën hetim, konkretisht me Arben Keshin. Në përgjimet telefonike të publikuara nga gazeta gjermane “Bild” dëgjohen në biseda deputetë dhe zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste, të cilët flasin me drejtues të policisë lokale dhe eksponentë të tjerë të njohur në Dibër për blerje votash.