Projekti për rikonstruksionin e spitalit Bashkiak Mat, Bala: presim shpalljen e fituesit
Godina kryesore e spitalit Bashkiak Mat do t’i nënshtrohet një rikonstruksioni të plotë, një investim ky që do të financohet nga buxheti i shtetit nëpërmjet Ministrisë së Shëndetësisë. Projekti është deklaruar në fund të vitit të kaluar dhe tashmë, sipas drejtorit të spitalit Bashkiak Mat, Erion Bala, ka hyrë në fazën e tenderimit dhe pritet për pak kohë të nisë zbatimi i tij në terren. Bala shtoi se ky projekt do të zgjidhë përfundimisht një problem të shkaktuar ndër vite me ambjentet e shërbimeve të ndryshme në spital ku aktualisht janë përqendruar në godinën e maternitetit. Rikonstruksioni do të përfshijë të gjitha ambjentet e brendshme të godinës tre katëshe. Sipas drejtorit të spitalit Bashkiak Mat, Erion Bala, ky nuk është projekti i vetmi, pasi në proces është edhe projekti për godinën e pediatrisë dhe atë të maternitetit. Rikonstruksioni total i godinës tre katëshe të spitalit bashkiak Mat pritet të rikthejë në normalitet fubnksionimin e pavioneve që aktualisht janë zhvendosur nga aty.