Programi “Rijetëzimi i kullave” seminar në Mat
Në kuadër të zbatimit të programit për “Rijetëzimin e Kullave” nga Ministria e Kulturës, Turizmit dhe Sportit në bashkëpunim me GIZ Shqipëri, i cili synon të kthejë kullat tradicionale të veriut në hapësira të gjalla të turizmit, kulturës dhe ekonomisë lokale, duke i restauruar, përshtatur dhe përfshirë në itinerare turistike që ofrojnë përvoja autentike për vizitorët vendas dhe të huaj, u mbajt këtë të martë seminari me aplikantët e këtij programi nga Mati. Përfaqësues të projektit dhe ekspertë, sqaruan të gjithë programin dhe se si mund të bëhesh pjesë e tij. Në fjalën e tij përshëndetëse, Kryetari i Bashkisë Mat, Altin Bojni tha se Bashkia do të asistojë në mbështetjen e aplikantëve gjatë fazave të programit. Koordinatorja e programit, nga Giz Albania, Fjoralba Arapi tha se ky program synon që kjo trashëgimi e rëndësishme kulturore jo vetëm të ruhet, por prej saj edhe të përfitohet ekonomikisht, ndaj dhe kërkoi angazhim maksimal për aplikime të cilat do të shqyrtohen më pas me kujdes nga ekpertët e fushës. Programi përfshin katër qarqe: Dibër, Kukës, Shkodër dhe Lezhë, dhe synon që kullat të mos mbeten më vetëm monumente, por të rijetëzohen si bujtina, qendra kulturore, muze lokale apo pika edukimi që lidhin historinë me jetën bashkëkohore. Kullat do të shndërrohen në bujtina, qendra kulturore dhe vende mikpritjeje që ruajnë historinë, por sjellin zhvillim të qëndrueshëm për komunitetet përreth.