
Lufta me procesionaren e pishës e instancave shtetërore, duket e humbur ende pa e filluar. Shqetësimi i “pushtimit” të masiveve pyjore me pishë nga procesionarja ka ndodhur prej afro 10 vitesh, e në këtë dekadë, institucionet shtetërore nuk kanë arritur të bëjnë asgjë më shumë se sa të matin sipërfaqen e infektuar e cila i ka kaluar mbi 150 mijë hektar. Aksionet për të pastruar pishat nga ky dëmtues kanë qenë të pakta dhe e vetmja mënyrë e përdorur deri tani është ajo mekanike, por u zbatua në një sipërfaqe të papërfillshme. Metoda e spërkatjes nga ajri nuk është përdorur, ndërsa po testohet lufta me insekte. Prefekti i Qarkut Dibër, Nexhbedin Shehu tha se ka qenë mungesa e fondeve ajo që ka penguar ndërhyrjen për këtë problem. Ai shtoi se masivi pyjor me pishë në Plan të Bardhë e Kloskatund është bashkiak, ndërsa pushteti vendor është i pafuqishëm të financojë ndërhyrjen mekanike.
Çdo masiv pyjor me pishë në Qarkun Dibër është i infektuar nga procesionarja, ndërsa ulja e ndjeshme e temperaturave në Janar, ka ndihmuar shumë pak në dëmtimin e parazitit dëmtues të pishës.