Procesionarja është kthyer si një dekor në pemën e pishës. Këto pamje janë nga masivi pyjor me pishë në njësinë Administrative Fushë- Bulqizë. Imazhet janë vërtetë trishtuese se si ky insekt ka pushtuar pemët e pishës, sikur të ishin vendosur nga dora e njeriut.
Procesionarja e pishës është kthyer prej disa vitesh në rrezikun më të madh të masiveve pyjore të tilla në vendin tonë, duke infektuar rreth 150 mijë hektar në të gjithë vendin nga 170 mijë që ka në total. Situata sa vjen dhe bëhet shqetësuese ndërsa prej 5 vitesh nuk ka asnjë nismë nga Ministria e Turzimit dhe Mjedisit për të ndërhyrë.
Larvat tashmë janë të mbështjella në degët e pemëve dhe do të qëndrojnë aty deri nga fundi i muajit Mars. Specialistët këshillojnë që koha është tani për të ndërhyrë me metodën mekanike, duke ju çarë qeskën e kur temperaturat të zbresin të paktën 5 gradë nën zero, ato do të ngordhin.
Por deri tani nuk ka nisma të tilla publike të ndërmarra nga instancat qëndrore e ato vendore. Pak muaj më parë u diskutua luftimi biologjik, por që deri tani nuk ka një shtrirje në të gjithë vendin, veç një eksperimenti të bërë në Korçë.