Procesionaria merr “malet”

0

Krimbi i pishës, apo siç njihet ndryshe porcesionaria, vijon të sfidojë terrenin në vendin tonë. Nëse në fillimet e saj ajo preku masivet pyjore me pishë të zezë në zonat e ulta, tashmë ka prekur edhe masivet në zonat e larta, duke sfiduar temperaturat e ulta gjatë dimrit.

Rasti konkret është i masivit pyjor me pishë të zezë mbi fshatin Patin të Bashkisë Klos. Siç duket nga pamjet, prania e procesionares ka qenë thuajse në të gjitha pemët e pishës së zezë, duke shkaktuar një masakër mjedisore në të, me ngrënien e halave të gjelbëra.

Deri tani kjo është zona ndoshta në lartësinë më të madhe ku krimbi i pishës është prezente dhe në sasi shumë të mëdha. Ekspertët kanë vënë re përshtatjen e këtij dëmtuesi me temperaturat e vendit tonë në mënyrë graduale, duke i rezistuar edhe dimrit ku termometri zbret në disa gradë nën zero.

Me gjithë rrezikun që i kanoset pishës së zezë në vendin tonë si pasojë e prekjes nga procesionarja, ende nuk ka një nismë kombëtare për të pastruar dhe shpëtuar masivet pyjore me pishë, sipërfaqja e infektuar e së cilës ka shkuar afro në 200 mijë hektarë.